Rregullat e agjerimit

Fjala "Saum" në aspektin gjuhësor don të thotë: pengim, abstenim.
Kurse në aspektin termiologjik don të thotë: Të shmangesh (të largohesh) nga haja, pija dhe mardhënijet intime nga imsaku deri në iftar.
 
Agjërimi është bërë obligim në vitin e dytë të hixhretit me ajetin Kur'anor:
O ju që keni besuar, agjërimi u është bërë juve obligim ashtu siç u ishte bërë obligim atyre që ishin para jush, (me të vetmin qëllim) që ju të jeni të devotshëm. (el-bekare)

Poashtu Muhamedi a.s. thotë:

 

Ju ka ardhur juve një muaj i bekuar në të cilin Allahu ua obligoi agjërimin. Në të hapen dyert e xhennetit, mbyllen dyert e xhehhenemit dhe prangosen djajtë.

Llojet e agjërimit:


Kemi disa lloje agjërimesh, e ato janë:

1. Agjërim që është
farz , pra që haptas dhe prerë e ka urdhëruar All-llahu xh.sh. dhe që domosdo duhet ta kryejë çdo musliman e muslimane. Farz është agjërimi i muajit të Ramazanit, në kohë ose kaza, pra mbasi të ketë kaluar Ramazani për ata ose ato që kanë pasur pengesa të mos agjërojnë në Ramazan. Farz është edhe agjërimi i kefareteve ose shpagimeve për gabimet. P.sh. nëse një njeri pa kurrfarë arsye e prish një ditë të Ramazanit, ai e ka farz pastaj t’i agjërojë 61 ditë si dënim. Tjetër, p.sh., nëse një nënë thotë se nëse djali im kthehet gjallë e shëndosh prej ushtrie ose lufte, unë do të agjëroj shembull 1 ose 4 ose 8 ditë. Nëse pastaj djali kthehet gjallë e shëndoshë prej lufte, pra ashtu si kishte pasur dëshirë ajo, atëherë ajo nënë e ka farz t’i agjërojë ato ditë që ishte zotuar se do t’i agjëronte, vetëm e vetëm djali t’i kthehej shëndoshë e mirë.


2. Agjërim që është
vaxhib, pra që nuk është qartë dhe prerë i urdhëruar nga Zoti por që duhet të kryhet. Vaxhib është agjërimi kaza për prishjen e një ose disa ditëve nafile. P.sh. një njeri jashtë muajit të Ramazanit nisi të agjërojë një ditë nafile (vullnetarisht, që s’e kishte borxh). Mirëpo më vonë e prishi agjërimin para iftarit. Atëherë ky njeri e ka vaxhib ta agjërojë kaza, d.m.th. një ditë tjetër këtë ditë që e prishi, sepse ky nuk e kishte borxh, por e nisi si nafile. Ky rregull vlen edhe te ibadetet tjera, si te namazi, te haxhi etj. Nëse niset një ibadet nafile dhe prishet pa e përfunduar sipas rregullave, atëherë ai ibadet na bëhet vaxhib ta kryejmë edhe një herë.

3. Agjërim që është
sunnet, pra që e ka bërë dhe e ka porositur Pejgamberi a.s., e jo All-llahu xh.sh., sepse atë që e porosit Zoti është farz, kurse atë që e porosit Pejgamberi a.s. është sunnet. Sunnet është agjërimi i ditës së nëntë dhe të dhjetë të muajit Muharrem, që është muaji i parë i kalendarit islam. Këto ditë ne i quajmë “ditët e ashures” dhe këto ditë është sunnet të agjërohen.

4. Agjërim që është
mendub, pra që Pejgamberi a.s. na preferon dhe thotë se është mirë të agjërohen, e nëse nuk agjërohen nuk do të kemi dënim. Mendub është agjërimi i tri ditëve në muaj, është mirë që këto të jenë: dita e 13, e 14 dhe e 15 e çdo muaji; mendub është të agjërohet çdo e hënë dhe e enjte; mendub është të agjërohen 6 ditë të muajit Shevval, menjëherë mbas Ramazanit etj.

5. Agjërim që është
nafile, pra agjërim vullnetar dhe që i përfshin ditët kur nuk është mekruh të agjërohen.

6. Agjërim që është
mekruh, pra që nuk preferohet dhe nuk është mirë të agjërohet. Mekruhi ndahet në: Mekruh tenzihen (i lehtë) dhe Mekruh tahrimen (i rëndë, afër haramit). Mekruh i lehtë është agjërimi i ditës së dhjetë të ashures pa ditën e nëntë; pastaj mekruh është agjërimi vetëm i ditës së xhuma pa të shtunën, sepse mendub është të agjërohet dita e xhuma me të shtunën bashkë e jo ndaras; pastaj mekruh është agjërimi i ditës së Shëngjergjit, të Shënmitrit dhe festave të feve të tjera; mekruh është të agjërohen dy ditë pa shkëputur, pra pa çel iftar dhe mekruh është të agjërohen krejt ditët e vitit duke mos mbetur asnjë ditë pa agjëruar. Kurse mekruh i rëndë, afër haramit është agjërimi i ditës së parë të Bajramit të madh (të Ramazanit) dhe i katër ditëve të para të Bajramit të vogël (të Kurbanit). Sepse këto janë ditë kur muslimanët duhet të festojnë e të gëzohen për sevapet që i kanë fituar prej agjërimit dhe prej haxhit.


Kushtet e agjërimit

 

Për të qenë i obliguar (borxhli) me agjërim duhet të jesh musliman, i mençur, në moshë madhore (bylyg), i shëndoshë dhe në vendlindje e jo mysafir. Pra, nuk e ka obligim të agjërojë njeriu që nuk është musliman, njeriu që është i çmendur (budalla) sepse Zoti nuk lyp asnjë obligim farz prej të çmendurit, njeriu që nuk ka hyrë në bylyg - nëse fëmija agjëron kjo do t’i quhet nafile, njeriu që është i sëmurë sa s’mund të mbajë agjërimin dhe nëse agjëron i keqësohet shëndeti dhe i rrezikohet jeta si dhe njeriu që nuk është në vendlindje, por është mysafir. Mysafir quhet njeriu i cili largohet dhe shkon diku më larg se 83 km. dhe qëndron atje më pak se 15 ditë. Mysafiri dhe i sëmuri kanë të drejtë të mos agjërojnë, mirëpo më mirë është të agjërojnë nëse kanë mundësi, sepse sevapet janë më të mëdha nëse agjërojnë në Ramazan. Ata që nuk mund të agjërojnë në Ramazan pse janë të sëmurë ose mysafirë, ata do t’i bëjnë kaza jashtë Ramazanit aq ditë sa u kanë mbetur.



Mustehabet e agjërimit (gjërat e pëlqyeshme të agjërimit).



Njeriu që agjëron është mirë të ngrihet në syfyr (imsak) dhe të hajë ushqimin e syfyrit, sepse me këtë fiton energji për të agjëruar ditën. Në syfyr bëhet edhe nijjeti për agjërim, që është kusht, sepse pa nijet nuk ka agjërim. Nijeti mund të bëhet edhe vetëm me zemër, mirëpo është mendub të bëhet edhe me gojë: “Vendosa që për Zotin ta agjëroj ditën e sotme. O Zot, ma bëj kabull!” Mirëpo, nëse dikush është shumë i lodhur, ai mund të mos ngrihet në syfyr, por nijjetin ta bëjë në mbrëmje kur të bjerë të flejë.

Mirë është që të shpejtojmë me iftarin, të mos e vonojmë për kot, bile më mirë është që njëherë të çilet iftari e pastaj të falet namazi i akshamit. Duke çelur iftar është mirë të këndohet kjo dua:
“All-llahumme sumtu ve bike amentu ve alejke tevekkeltu ve ala rizkike eftartu” (O Zoti im, për Ty agjërova, Ty të kam besuar, në Ty mbështetem dhe me rizkun Tënd çela iftar).

Mustehab është që iftarin ta çelim me hurma ose me diçka të ëmbël. Mustehab është që agjëruesi t’u ndihmojë materialisht, me para ose me ushqim fukarenjve. Mustehab është që brenda mundësive ditë e natë të lexojmë e dëgjojmë Kur’an, të biem salavate mbi Pejgamberin a.s., të bëjmë zikër e të merremi me lexim të librave të fesë.


 

Cka është mekruh (e papëlqyeshme) dhe cka nuk është e mekruh?

Nuk është mekruh përdorimi i misvakut ose i brushës për pastrimin e dhëmbëve, mirëpo duhet pasur kujdes që pasta e dhëmbëve dhe uji të mos na ikin në fyt duke i larë dhëmbët. Mekruh është që gjatë pastrimit mbas kryerjes së nevojës së madhe të mos përdorim tepër ujë, sepse mund që uji të depërtojë brenda në zorrën e trashë e të na prishet agjërimi.

Mekruh është po ashtu të përdorim tepër ujë edhe gjatë larjes së gojës e hundës me rastin e marrjes së abdestit dhe guslit, me qëllim që të mos e rrezikojmë agjërimin.

Mekruh është që me gjuhë të provohet gjella që është duke e zier. Nëse sidomos gruaja burrin e ke shumë të prapë dhe me rrebe, atëherë nuk është mekruh që ajo ta provojë me maje gjuhe për kripë ose për diçka tjetër.

Mekruh është që agjëruesi ta përtypë një gomë (mastik) e cila është përtypur një herë më parë. Mirëpo, nuk lejohet të përtypet një mastik i paçelur dhe i papërtypur një herë.

Mekruh është që agjëruesi të japë gjak nëse frikohet se mund të dobësohet sa s’mund ta agjërojë ditën kur ka dhënë gjak. Nëse nuk ka këso frike mund të japë gjak dhe nuk është mekruh.

Nuk është mekruh që gjatë ditëve të nxehta agjëruesi ta shpërlajë gojën e hundën si dhe tërë trupin me ujë të ftohtë për t’u flladitur, mirëpo duhet të ketë kujdes të mos i hyjë uji në trup. Sepse me këtë flladitje i ndihmohet agjëruesit ta agjërojë ditën e nxehtë.

Mekruh është për një burrë, i cili nuk i beson vetvetes, që ta puthë ose ta ledhatojë gruan e vet. E njëjta vlen edhe për një grua që nuk i beson vetvetes. Sepse te ky person ekziston rreziku të shkojë edhe më tej dhe të bëjë marrëdhënie intime e ta prishë agjërimin, për çka pastaj duhet të agjërojë 61 ditë.

Mekruh është gjithashtu që një burrë e grua ta përqafojnë njëri-tjetrin duke qenë të zhveshur, lakuriq, pa marrë parasysh i besojnë ose jo vetvetes. Mekruh është edhe puthja në buzë e bashkëshortëve gjatë agjërimit.

Nuk është mekruh dhe nuk e prish agjërimin nëse dikush zgjohet në mëngjes i papastër (xhunub) ose gjatë ditës fle dhe kur zgjohet e sheh se është bërë xhunub. Mirëpo, mekruh është që të mos pastrohesh (gusël të marrësh) menjëherë sa të të vijë mundësia për t’u pastruar.

Nuk është mekruh t’i merret erë lules ose miskut. Nuk është mekruh që agjëruesi të parfymoset dhe që agjëruesja të vendojë syrme e ngjyra vetëm për bashkëshortin e saj.



Çka e prish dhe çka nuk e prish agjërimin



Të hash, të pish dhe të bësh marrëdhënie intime me qëllim dhe duke e ditur se agjëron, e prish agjërimin. Për këtë ngarkohesh me nga 61 ditë për çdo ditë që e prish. Nëse dikush me qëllim i prish 2 ose 5 ose më tepër ditë, atëherë kur të nisë t’i agjërojë këto ditë, ai duhet të agjërojë pa ndërprerë 61 plus sa ditë të tjera i ka prishur në Ramazan. E nuk duhet që për secilën ditë të agjërojë nga 61. Mirëpo, nëse këto ditë i ndan dhe nuk i agjëron pa ndërprerë, atëherë për secilën ditë të prishur duhet nga 61 ditë të agjërohen.

Nuk e prish agjërimin në qoftë se këto i bëjmë nga harresa, mirëpo sapo të na kujtohet ose të na përkujtojë dikush tjetër menjëherë duhet ta ndërpresim ngrënien, pijen ose marrëdhëniet intime. Nëse e shohim dikë se është duke ngrënë gjatë agjërimit, shikojmë: nëse është njeri i shëndoshë dhe i fortë për të agjëruar, atij ia përkujtojmë menjëherë, nëse nuk ia përkujtojmë atëherë ne kemi bërë mekruh të rëndë afër haramit. Nëse ai është njeri plak, atij nuk ia përkujtojmë menjëherë, por e lëmë të ushqehet pak për ta përfunduar ditën me agjërim.

Agjërimin e prish nëse ha ose pi diçka në gjumë, duke fjetur. Natyrisht nëse më shohin të tjerët dhe nëse e mbaj mend çka kam bërë në gjumë.

Nëse një njeriu që agjëron dhe që ka filluar të hajë i themi “Ti agjëron!” dhe ai nuk e dëgjon këtë fjalën tonë por vazhdon ta përtypë atë që ka në gojë e të hajë, atëherë këtij njeriu i prishet agjërimi dhe ai duhet ta bëjë kaza atë ditë, pra jashtë Ramazanit duhet ta agjërojë vetëm një ditë.

Agjërimi prishet nëse hamë ose pimë diçka me pahir, pa qëllim. Pra, një njeri duke e ditur se agjëron, por pa hiri ha ose pi diçka, ose duke marrë abdest ose gusël i ik uji nga goja dhe i shkon në bark, atij i prishet agjërimi dhe duhet ta bëjë kaza vetëm një ditë. Mirëpo, nëse këto i bën duke mos e ditur se agjëron, atëherë nuk i prishet agjërimi sepse kjo është bërë nga harresa. Gjithçka që bëhet nga harresa nuk prishet.

Nuk e prish agjërimin lagështia e ujit që është përzier me pështymën dhe që ka mbetur në gojë pasi ta kemi shpërlarë gojën.

Nuk e prish agjërimin as qelbi që rrjedh përbrenda prej hundës direkt në fyt.

Gjaku që del nga mesi i dhëmbëve dhe shkon në fyt, shikohet: nëse është pak dhe më pak se pështyma e gojës, atëherë kjo nuk e prish agjërimin. Mirëpo, nëse ky gjak është më tepër se pështyma e gojës dhe e çojmë në bark, na prishet agjërimi. E njëjta vlen edhe kur e nxjerrim dhëmbin.

Nëse dikujt i varen jargët prej gojës por pa iu këputur i thith prapë në gojë dhe i përtyp, atij nuk i prishet agjërimi.

Nëse një njeri i thith buzët e veta që i janë lagur nga pështyma e vet ose nga uji i abdestit, atij nuk i prishet agjërimi.

Nëse loti ose djersa hyjnë në gojë, shikojmë: nëse është pak sa një ose dy pika, nuk e prish agjërimin. Mirëpo, nëse është më tepër sa e ndjejmë njelmësinë e lotit ose djersës në
tërë gojën dhe e përtypim teposhtë, atëherë na prishet agjërimi.

Nuk e prishin agjërimin sendet që na hyjnë në fyt vetvetiu, pa pasur qëllim t’i hamë ato. P.sh. pluhuri i miellit duke e situr miellin, pluhuri i rrugës, tymi i një zjarri ose i duhanit, ose një mizë etj. Mirëpo, nëse e di se agjëron dhe e kap një mizë ose pak pluhur, ose pak tym duhani etj. dhe i shtyn në gojë me qëllim, atëherë atij i prishet agjërimi dhe atë ditë duhet ta bëjë kaza.

Nëse agjëruesi e merr një pe me ngjyra dhe disa herë e shti dhe e nxjerr prej goje, nuk e prish agjërimin. Mirëpo, nëse e merr një pe që lëshon ngjyrë dhe pështymën që formohet me të e përtyp teposhtë, i prishet agjërimi.

Një thërrmijë buke ose ushqimi që ka mbetur midis dhëmbëve dhe është sa një kokë nahuti ose leblebie dhe e gëlltisim në bark, na prishet agjërimi. Nëse është më pak se kjo, nuk prishet. Nëse e nxjerrim nga goja dhe e shtyjmë prapë në gojë dhe e përtypim, atëherë
prishet dhe ajo ditë duhet të bëhet kaza.

Në qoftë se midis dhëmbëve ka mbetur një pjesë e vogël ushqimi, si një kokërr susami ose gruri dhe e çojmë teposhtë, nuk prishet agjërimi. Mirëpo, nëse një sasi kaq të vogël e marrim nga jashtë dhe e futim në gojë, kjo e prish agjërimin.

Një e vjelltë që vjen vetvetiu, pra që nuk e ngacmojmë ne me gishta ose me diçka tjetër, shikohet: nëse nuk na mbushet goja me të vjelltë – pra është pak, dhe kthen prapë në lukth, nuk e prish agjërimin. Në qoftë se e kthejmë ne vetë atë në lukth atëherë prishet. Nëse të vjellët na e mbush gojën, pra është shumë dhe kthen vetvetiu në lukth ose e kthejmë ne e gëlltisim, atëherë agjërimi na prishet.

Ashtu siç nuk prishet agjërimi i bashkëshortëve duke u ngjitur trup për trupi, duke u puthur dhe duke luajtur, po kështu nuk prishet agjërimi edhe nëse derdhemi (zbrazemi) vetëm duke menduar ose duke shikuar. Prandaj, nëse një burrë e puth dhe e ledhaton gruan e vet, atyre nuk u prishet agjërimi. Po kështu, nëse një burrë e shikon fytyrën ose ndonjë organ tjetër të gruas së vet dhe derdhet me afsh vetëm duke e shikuar dhe vetëm duke menduar për ato organe, atij nuk i prishet agjërimi. E njëjta vlen edhe për gruan. Agjërimi nuk prishet edhe në qoftë se një burrë e prek me organin e vet (penisin) trupin e gruas së vet e nuk e fut në njërën prej dy organeve gjenitale të gruas dhe me këtë rast nuk derdhet. Mirëpo, nëse derdhet duke e bërë këtë, atëherë atij i prishet agjërimi dhe duhet vetëm atë ditë ta bëjë kaza. E njëjta vlen edhe me masturbimin (vetëkënaqjen me dorë), nëse derdhet prishet e nëse nuk derdhet nuk prishet agjërimi.

Në qoftë se një burrë e kap gruan e vet mbi tesha dhe nuk e ndjen ngrohtësinë e saj dhe në fund derdhet, atij nuk i prishet agjërimi. Mirëpo, nëse e ndjen ngrohtësinë e saj, atëherë i prishet agjërimi. Po kështu, nëse një grua e kap burrin e vet mbi tesha dhe nuk e lëshon derisa ai të derdhet, atëherë agjërimi i burrit nuk prishet. Mirëpo, nëse gruaja e tij këtë e bën pse i ka thënë burri i saj, atëherë atij i prishet agjërimi.

Nëse një burrë e puth gruan e tij ose gruaja e puth burrin e saj dhe prej burrit paraqitet sperma, kurse prej gruas lagështia në organet gjenitale, atëherë prishet agjërimi i të dyve dhe këtë ditë duhet ta bëjnë kaza. Ledhatimi, kapja për dore dhe përqafimi janë sikurse puthja.

Nëse këta të dy bëjnë marrëdhënie intime me organet gjenitale duke e ditur se agjërojnë, atëherë u prishet agjërimi dhe duhet të agjërojnë të dytë nga 61 ditë. Sepse kjo është prishje e agjërimit me qëllim, me paramendim.

Lëshimi i ilaçit me pika në hundë dhe në vesh, e prish agjërimin dhe duhet kaza. Mirëpo, uji që hyn në vesh apo që e shtyjmë në vesh, nuk e prish agjërimin.

Pikat e ilaçit që i derdhim në sy nuk e prishin agjërimin.

Sendet që hyjnë në trupin e njeriut nëpërmjet lëkurës së tij, nuk e prishin agjërimin. Prandaj vajrat që përdoren për mbrojtjen e lëkurës ose uji i ftohtë që e përdorim për t’u freskuar e flladitur, nuk e prishin agjërimin.

Agjërimin nuk e prishin as ilaçet dhe melhemet që ua vendojmë plagëve (varrave), edhe nëse e ndiejmë thellë në trup. Agjërimin nuk e prishin as gjilpërat ose vaksinat që i marrim nëpërmjet lëkurës për t’u shëruar. Më mirë është që gjilpërat të merren mbas iftari nëse ka mundësi, e nëse jo edhe ditën mund të merren dhe nuk e prishin agjërimin. Kurse infuzioni (ushqimi artificial) që e marrim direkt në venë e prish agjërimin. Zaten njeriu që ka ardhur në gjendje të marrë infuzion, ai hy në kategorinë e njerëzve të sëmurë të cilët e kanë të lejuar të mos agjërojnë derisa të shëndoshen, e pastaj ato ditë i bën kaza mbas Ramazanit.


Cilat janë arsyet që na lejojnë të mos agjërojmë në Ramazan


Ka 9 arsye (sebepe) kryesore që na lejojnë të mos agjërojmë ose ta prishim agjërimin që e kemi nisur:

1. Mysafirllëku: Nëse një agjërues gjatë Ramazanit vendos të dalë në rrugë të gjatë mbi 83 km, në syfyr mund të mos e bëjë nijet fare dhe kur të dalë drita të niset në rrugë pa agjërim në gojë. Mirëpo, nëse mbasi ka hëngër syfyr vendos të dalë në rrugë të gjatë mbi 83 km., atëherë ai duhet ta agjërojë atë ditë deri në iftar dhe nëse e prish, atëherë atë ditë duhet ta bëjë kaza, pra vetëm një ditë mbas Ramazanit.

2. Sëmundja: Nëse një i sëmurë frikohet që mos t’i kanoset rreziku për jetë ose frikohet të mos i dalin mendtë ose frikohet të mos i shtohet ose zgjatet sëmundja, ai mund të mos agjërojë dhe mund ta prishë agjërimin që e ka nisur. Mbasandaj kur të shërohet i agjëron aq ditë sa i ka prishur në Ramazan. Mirëpo, kjo frikë nuk duhet të mbështetet në hamendje, pse ma ha mendja mua, por duhet ta kem provuar më herët ose duhet të më ketë thënë një doktor specialist se nëse vazhdoj të agjëroj do të më përkeqësohet shëndeti, atëherë mund të mos agjëroj, siç thamë më lart.

3. Lufta me armikun: Një luftëtar musliman që duhet të luftojë me armikun dhe i cili frikohet se nëse agjëron do të mbetet më i dobët se armiku, atëherë ai mund të mos agjërojë. Porse mbas luftës do t’i bëjë kaza aq ditë sa i kanë mbetur pa agjëruar.

4. Detyrimi: Nëse dikush na kërcënohet duke na thënë se po qe se nuk e prishi agjërimin do të më vrasë ose do të ma presë ndonjë organ të trupit, atëherë unë ndodhem nën detyrim dhe kam të drejtë ta prishi agjërimin e ta shpëtoj kokën ose trupin. Atë ditë do ta agjëroj më vonë kur të kalojë detyrimi dhe zori, mbas Ramazanit.

5. Uria dhe etja e ashpër: Nëse një njeri që agjëron e merr uria ose digjet për ujë aq shumë sa nëse nuk ha ose nuk pi diçka frikohet mos po e humb jetën ose mendjen e vet, atëherë ky do ta prishë atë ditë dhe do ta bëjë kaza më vonë.

6. Shtatzënia dhe fëmija për gjiri: Një grua shtatzënë ose me fëmijë për gjiri, nëse frikohet se prej agjërimit mund të dëmtohet ajo vetë ose fëmija që e ka në bark ose për gjiri, atëherë ajo mund të mos agjërojë dhe t’i bëjë kaza aq ditë sa do t’i prishë në Ramazan.

7. Hajzi (menstruacioni) dhe nifasi (lehona): Nëse një gruaje i vijnë menstruacionet në Ramazan, ose një shtatzënë e lind fëmijën në Ramazan, atyre u prishet agjërimi dhe derisa të vazhdojnë menstruacionet ose gjendja e lehonisë ato nuk guxojnë të agjërojnë, bëjnë gjynah nëse agjërojnë.

Nëse një grua duke menduar se i ka ardhur menstruacioni e prish agjërimin dhe atë ditë nuk i paraqitet menstruacioni, atëherë ajo ngarkohet me 61 ditë agjërim, sepse është dashur të presë që t’i paraqitet gjaku i menstruacionit.

Një gruas që menstruacioni i vjen në Ramazan dhe i mbaron gjatë natës dhe kjo shkon e pastrohet (merr gusël), shikohet: nëse i ka mbushur 10 ditë me menstruacion, atëherë ditën e nesërme fillon ta agjërojë. Nëse kanë kaluar më pak se 10 ditë dhe pasi t’i jetë mbaruar menstruacioni e deri në kohën e imsakut ka kohë për t’u pastruar, atëherë ajo do të pastrohet dhe do ta bëjë nijet agjërimin e asaj dite që vjen. Nëse nuk ka kaq kohë, pra menjëherë sa të lahet hy koha e agjërimit, pa pasur mundësi të hajë syfyr, atëherë ajo nuk e ka për borxh ta agjërojë ditën që vjen. Nëse menstruacioni ndërpritet ditën, është mirë që ajo menjëherë të pastrohet (marrë gusël) dhe deri në mbrëmje të mos hajë e pijë, për hatër të Ramazanit, edhe pse atë ditë bashkë me ditët tjera duhet t’i bëjë kaza.

8. Gostia: Të përgatisësh një gosti apo t’i përgjigjesh thirrjes për një gosti numërohet si arsye për ta prishur agjërimin nafile. Pra, njeriu që është i ftuar për një gosti, dasmë apo të ngjashme, ai mund ta prishë agjërimin nafile që e ka filluar, po jo edhe agjërimin farz apo vaxhib, sepse për to gostia nuk numërohet sebep apo arsye.

9. Pleqëria e thellë: Një njeri që është shumë i vjetër dhe i dobët (shejhi fani) mund të mos agjërojë. Shejhi fani quhet burri ose gruaja që për çdo ditë e më tepër dobësohet nga shëndeti dhe i cili pa iu kthyer edhe njëherë fuqia e kuvveti vdes ashtu i dobët. Ky njeri që nuk ka shpresa më të ngrihet e të forcohet, për çdo ditë të Ramazanit do të paguajë nga një fitër. Këto fitra mund t’i paguajë edhe në fillim, po mundet edhe në mbarim të Ramazanit, a mundet edhe për çdo ditë.

 

Allahu na e pranoftë agjërimin tonë. Amin

26.08.2009

e mërkurë

Ramazan