Fisnik Muça, Dibër

Big Brother, të krenohemi apo të turpërohemi  

            Të krenohem apo të turpërohem? Kjo pyetje lind në momentin kur shikoj emisionin “ Big Brother Albania”. Edhe pse në këto raste pyes zemrën dhe më jep përgjigjen e saktë, përsëri shkurtimisht dëshiroj që të jap disa arsye se përse  krenohem ose turpërohem me një emision të tillë.

            Kur shikoj të rinjtë shqiptar të mbyllur në  shtëpinë e Big Brother, të izoluar nga bota e jashtme dhe të përshtatur sipas kushteve të dikujt tjetër, për një moment më shkon mendja tek lënda e biologjisë dhe tek eksperimenti. Këto të rinj [1] shqiptar u ngjajnë minjve eksperimentues të futur në një laborator duke iu përshtatur  kushteve të eksperimentuesit. Rregullat e lojës i cakton dikush tjetër, ndërsa minjtë e ngratë janë veçce aktorë prej të cilëve njëri do të marr shpërblimin. Por nejse ja vlen së fundmi, miu fitimtar e meriton një copë djathi nga se eksperimentin e ka realizuar me sukses. Edhe udhëheqësja e emisionit shpesh u drejtohet me fjalët “ Miqtë e mij të dashur”, në fakt ka për qëllim fjalët “ Minjtë e mi të vegjël”. Këto minj shqiptar u nënshtrohen eksperimenteve të ndryshme. Ndonjëherë duhet që të presin flokët e tyre për të përfituar diçka, e ndonjëherë duhet që të luajnë role të ndryshme, me të vetmin qëllim, përfundimin e provës së javës. Provat vazhdojnë çdo ditë kurse në tërësi kompletojnë eksperimentin.

            Big Brother  luan me ndjenjat e të rinjve shqiptar. Të pavetëdijshëm për veprimet e tyre, duke mos kuptuar qëllimet e këtij emisioni, i nënshtrohen një loje, rezultatet e të cilës kushtojnë miliona dollarë. A thua vallë këto sponzorizime bëhen thjeshtë për një emision i cili do të zgjasë disa muaj, apo për diçka tjetër e cila do ti sjell përfitime të mëdha dikujt? Personalisht do të kisha zgjedhur alternativën e dytë edhe pse nuk e di se kush qëndron pas gjithë kësaj. Big Brother vepron në emër të modernizimit të shoqërisë shqiptare, por unë do të thoja se vepron në emër të degjenerimit. Po ju pyes, a nuk është vallë degjenerim që 12 persona të flejnë në një dhomë të përbashkët, inkuadruar këtu edhe një “nënë” shqiptare? Dikush do të përgjigjej, është diçka e kohës, dëshirojnë të përjetojnë emocionet e të parëve të tyre të cilët kanë jetuar bashkërisht nga se nuk kanë patur kushtet që kemi sot. Përgjigjja ime do të ishte, se kurrë nëna shqiptare nuk ka lejuar dhe nuk do të lejon që të shikon burrat e huaj gjysmë të zhveshur dhe të flen me to së bashku në një dhomë.

            Andaj po ju pyes ju, të krenohemi apo të turpërohemi me Big Brother? Personalisht turpërohem...  



[1]Ketu kemi edhe  “ nënën “ shqiptare e cila dëshironte që të përjetojë emocionet e të qenurit banore e shtëpisë së Big Brother