Bulevardi i shpëtimit

 

 

 

Dibër - Dibra viteve të fundit ballafaqohet me problemin e komunikacionit të dendur. Rritja e numrit të automjeteve të lehta dhe transportuese që shfrytëzojnë vendkalimin kufitar "Bllatë" për të transportuar mallra nga rajoni i Ballkanit për në Shqipëri,viteve të fundit dukshëm ka rrënduar komunikacionin në Dibër. Ky problem shpesh herë gjatë viteve të kaluara është analizuar nga ekspertë të komunikacionit, kurse zgjidhja përfundimtare u gjet me ndërtimin e bulevardit "Iliria". Sipas koordinatorit të Projektit për ndërtimit të bulevardit,Gazmed Cami,rritja e vazhdueshme e automjeteve,dinamika e shfrytëzimit të mjeteve transportuese nga njëra anë dhe gjendja rëndë e rrjetit te komunikacionit rrugor nga ana tjetër, paraqesin probleme për lëvizjen e lirë dhe sigurisë në komunikacion me të cilin qytetarët e Dibrës ballafaqohen çdo ditë. "Këto ishin shkaqet kryesore që qytetarët e Dibrës në kuadër te Programit Forumet në bashkësi gjatë vitit 2009, projektin e riokonstruimit të bulevardit “Iliria” e ranguan si projekt më prioritar për komunitetin",thotë ai. Cami shton se projekti ka për qëllim përmirësimin e gjendjes së infrastrukturës rrugore të Dibrës dhe rritjen e sigurisë në komunikacion përmes riorientimit të trafikut nga qendra e qytetit dhe shkarkimin e trafikut nga hapësirat me banim më të dendur. Me këtë projekt parashihet realizimi i aktiviteteve për rekonstrimin e këtij bulevardi me gjatësi prej 500 metrave. Vlera e përgjithshme e projektit arin vlerën rreth 11 milionë denarë, prej të cilave 6 milionë janë donacion nga Agjencioni Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe në pjesën tjetër participon Komuna e Dibrës. Ky projekt implementohet me përkrahje edhe të Qendrës për zhvillim institucional (CIRA) Shkup.Realizues i punëve është "Metalfert" nga Dibra, kurse mbikëqyrës "Terraplan" nga Gostivari. "Sipas dinamikës së zhvillimit të punimeve, tani ndodhemi diku në mesin e intervalit kohor dhe pritet që projekti të përfundon kah fundi i muajit tetor. Pas përfundimit të punimeve do të realizohet takimi final i Forumit,në të cilin do të promovohen rezultatet e projektit dhe qytetarët do të kenë mundësinë ta vlerësojnë suksesin e projektit", thotë Cami.Projekti ka domethënie të madhe për komunikacionin,por edhe për zgjidhjet urbane që ai ofron. Projekti bulevardi "Iliria" është një projekt i cili gjallëron qytetin dhe i jep një pamje të vendbanimi urban me tipare evropiane. Në afërsi të bulevardit, i cili përveç infrastrukturës rrugore, ka edhe pjesë të gjelbra dhe ndërtime të shumta të objekteve afariste dhe objekteve për banim. Këtu është ndërtuar edhe xhamia më e re e Dibrës,ajo e Sahat Kullës,kurse bulevardi "Iliria" do të shfrytëzohet edhe për shëtitore nga ana e dibranëve./V.S/