Rezoluta e Serbisë e papranueshme për “aleatët e Kosovës”

 

29.07.2010

 

Rezoluta, të cilën Serbia e dorëzoi dje për shqyrtim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, është kundërshtuar nga katër shtete, anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca e kanë cilësuar të papranueshëm tekstin e rezolutës, pasi në të thuhet se Serbia dhe Kosova duhet të vendosin “dialog për të gjitha çështjet e hapura”, shkruan sot e përditshmja serbe Blic, duke iu referuar burimeve nga OKB-ja.
Sipas këtyre shteteve, të cilat kanë mbështetur fuqishëm pavarësinë e Kosovës, në fakt duhet të bëhet fjalë për “bisedime për çështje teknike” e jo për “të gjitha çështjet e hapura”.
“Duhet të specifikohet qartë, pasi për Serbinë çështje e hapur është edhe ajo për statusin, ndërkohë që ne vlerësojmë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe se nuk mund të ketë bisedime për statusin e saj”, shkruan Blic.

Jeremiç lobon në New York kundër Kosovës

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, gjendet në New York, ku po zhvillon takime lidhur me nismën serbe për rezolutë të re rreth Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Jeremiç pritet të takohet dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të organizatës botërore, Ban Ki Mun dhe do t’i drejtohet një takimi të vendeve të painkuadruara./express/