Ramush Haradinaj, rigjykohet në Hagë

 

21.07.2010

 

Gjykata e Hagës ka vendosur që të rigjykoj procesin “Haradinaj”. Vendimi u mor të mërkurën pas ankesës së Prokurorisë lidhur me vendimin e 3 prillit të vitit 2008 për lirimin e Ramush Haradinajt.
Në fakt, Dhoma e Apelit vendosi paraburgimin e Haradinajt, Brahimajt e Balajt pasi kishin munguar dëshmitë e disa dëshmitarëve bazë dhe ka anuluar pjesërisht vendimin e Gjykatës për pafajësi ndaj Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt.
Apeli pranoi ankesën e prokurorisë se nuk i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për të shfrytëzuar të gjitha rrugët në mënyrë që të paraqiteshin dy dëshmitarë kyçë të rastit. Apeli po ashtu ka arritur në përfundimin se Gjykata ka dështuar në marrjen e masave të nevojshme për të siguruar dëshmitë e disa prej dëshmitarëve.
Dhoma e Apelit ka hedhur poshtë apelin e prokurorisë lidhur me akuzat e tjera.
Gjykata ka vendosur paraburgimin e Ramush Haradinajt, Lah Brahimajt dhe Idriz Balajt deri në një vendim të ardhshëm.
Ndërkohë, koordinatori i Ekipit të Mbrojtjes në Procesin e Ramush Haradinaj, Michael O'Reilly, përmes një komunikate për media, ka thënë se ekipi është i befasuar me vendimin e Dhomës së Apelit.
“Ekipi Mbrojtës i z. Haradinaj është jashtëzakonisht i befasuar me vendimin e sotëm, kjo është diçka që ne s’kemi mundur ta parashohim, posaçërisht duke pasur parasysh lirimin e tij të pamëdyshje dhe unanim të para dy viteve”, është shprehur O’Reilly.